
Prishtina e Re konfirmon lajmin e Kërlaçkit, Shpëtim Babaj merr drejtimin e skuadrës në vend të Elon Berishës
KF Prishtina e Re ka zyrtarizuar ndryshime në stafin teknik, duke ndarë rrugët me kryetrajnerin Elon Berisha pas një vendimi të përbashkët me bordin e klubit.
Në njoftimin e bërë publik, klubi thekson se detyrën e kryetrajnerit, deri në një vendim tjetër, do ta ushtrojë Shpëtim Babaj, i cili deri më tani ka qenë në postin e Drejtorit Sportiv.
“Klubi i uron shumë suksese në këtë sfidë të re, duke besuar se përvoja dhe përkushtimi i tij do të kontribuojnë në vazhdimësinë e projektit tonë,” thuhet në komunikatë.
Nga Prishtina e Re nuk mungoi as mirënjohja për ish-trajnerin Elon Berisha, i cili ka qenë pjesë e klubit për më shumë se tre vite.
“Raportet tona me trajnerin Berisha janë të veçanta, duke qenë se kemi një rrugëtim të përbashkët dhe bashkëpunim mbi 3-vjeçar. KF Prishtina e Re i shpreh mirënjohjen më të sinqertë trajnerit për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kësaj periudhe.”