
Kombëtarja shqiptare ka nisur sot përgatitjet për dy sfidat ndërkombëtare që do të zhvillohen këtë muaj. Kuqezinjtë do të përballen më 11 tetor me Serbinë në Leskovac, ndërsa tre ditë më vonë do të luajnë një ndeshje miqësore kundër Jordanisë në Tiranë.
Trajneri Silvinjo publikoi pak ditë më parë listën e lojtarëve të grumbulluar, ndërsa dita e sotme shënon fillimin zyrtar të përgatitjeve.
Gjatë paradites, lojtarët do të mbërrijnë në hotel për t’u grumbulluar, ndërsa pasdite është planifikuar seanca e parë stërvitore e ekipit.
Situata në mbrojtje
Përveç Ismajlit, mungon edhe Kumbulla, gjë që e bën qendrën e mbrojtjes të kufizuar për këto dy ndeshje. Një risia në listë është Klisman Cake nga Shkëndija e Tetovës, i grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren.
Ditët në vijim do të sqarojnë edhe më tej strategjinë e trajnerit Silvinjo dhe stafin teknik, ndërsa priten edhe ndryshime të tjera në listë në rast dëmtimesh, siç ka ndodhur edhe në sfidat ndaj Letonisë dhe Gjibraltarit.
Forma e lojtarëve
Pjesa tjetër e skuadrës po kalon një moment të mirë, me shumë futbollistë që kanë marrë minuta me ekipet e tyre në kampionat. Gjatë javës, nuk kanë munguar golat nga lojtarët e grumbulluar, ndërsa spikasin edhe performancat e futbollistëve që nuk janë në listë.
Portieri Thomas Strakosha priti një penallti në Greqi, ndërsa Elseid Hysaj u rikthye titullar te Lacio pas një periudhe mungese. Titullarë ishin edhe Berisha dhe Ramadani me Leçen, Gjimshiti me Atalantën dhe Asllani me Torinon.
Përgatitjet e fundit
Skuadra do të zhvillojë pasditen e sotme stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa një ditë para ndeshjes me Serbinë do të udhëtojë drejt Leskovacit për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore dhe konferencën për shtyp para takimit.
Kjo është një javë vendimtare për Shqipërinë, teksa synohet të prezantohet në fushë me maksimumin e lojtarëve të gatshëm dhe në formë për të marrë rezultat pozitiv.