
Joshko Gvardiol, futbollist i kombëtares kroate dhe anëtar i Manchester City-t, po shijon pushimet në bregdetin kroat së bashku me miqtë e tij, duke ndarë momente të ndryshme në rrjetet sociale. Ndër postimet që ka tërhequr më shumë vëmendje, është një fotografi që tregon shtëpinë e lindjes së Luka Modriçit, ku Gvardiol ka varur fanellën e legjendës së Real Madridit në derën e saj – një gjest që emocionoi mijëra ndjekës.
Shtëpia ndodhet në fshatin Zaton Obrovaçki, afër qytetit të Zarës, dhe dikur i përkiste gjyshit të Modriçit. Aty ka kaluar fëmijërinë futbollisti i njohur. Por sot, godina është në gjendje të rrënuar, e braktisur dhe e rrethuar nga një zonë e rrezikshme me mina, pa asnjë muze apo shenjë përkujtimore.
Gjatë Luftës së Kroacisë në vitin 1991, shtëpia u dogj, ndërsa gjyshi i Modriçit u vra dhe familja e tij u dëbua. Gjatë viteve të para të jetës, Luka dhe të afërmit e tij jetuan në strehime të përkohshme në qytetin e Zarës, përpara se ai të niste rrugëtimin drejt karrierës futbollistike.
Aktualisht, prona është në pronësi të shtetit kroat dhe nuk ka qenë kurrë në pronësi private të familjes Modriç. Agjencia zhvillimore e qarkut të Zarës, “Zadra Nova”, ka nisur një nismë për ta restauruar shtëpinë dhe për ta shndërruar në një qendër interpretimi me ekspozita, suvenire dhe përmbajtje informuese. Megjithatë, kjo ide nuk ka marrë ende miratimin e familjes Modriç.
