
Kampioni i Kosovës, Drita, do të zhvillojë sonte në Luksemburg ndeshjen e kthimit ndaj Differdange 03, në kuadër të raundit të parë të Ligës së Kampionëve. Takimi do të luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville de Differdange”, me fillim nga ora 20:00.
Pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e parë në Prishtinë – ku goli vendimtar u shënua nga Arb Manaj – skuadra gjilanase udhëton me një epërsi të rëndësishme dhe moral të lartë, por gjithashtu me kujdes maksimal për sfidën që i pret.
Trajneri Zekirija Ramadani pritet të bëjë një lëvizje taktike interesante për të ruajtur avantazhin dhe për të menaxhuar ndeshjen me inteligjencë.
Formacioni pritet të jetë i njëjtë në prapavijë, me Faton Malokun në portë, ndërsa katërshja mbrojtëse do të përbëhet nga Besnik Krasniqi në të djathtë, Juan Camilo Mesa dhe Egzon Bejtullai në qendër, si dhe Raddy Ovouka në krahun e majtë.
Në mesfushë, Rron Broja rikthehet pas pezullimit dhe do të jetë titullar. Pranë tij pritet të luajë Albert Dabiqaj, ndërsa vendi i tretë në mesfushë është në dilemë mes Vesel Limajt dhe Ibrahima Salifut – ky i fundit asistoi golin e fitores në ndeshjen e parë.
Nëse Ramadani zgjedh formacionin 4-3-3, atëherë Limaj shihet si favorit për të nisur nga minuta e parë, ndërsa me 4-2-3-1, Salifu mund të luajë më përpara në pozicionin e fantazistit.
Në repartin ofensiv, treshja pritet të përbëhet nga Liridon Balaj, Almir Ajzeraj dhe Arb Manaj, i cili do të kërkojë të shënojë sërish për ta dërguar Dritën në raundin e dytë për herë të parë në histori.
Gjilanasit kanë përballë një ndeshje delikate, por janë të bindur në potencialin dhe përgatitjen e tyre për të bërë hapin historik në Ligën e Kampionëve.
Be the first to comment