Si në 2014-ën po e përjetoj! – Hysaj emocional para sfidës me Serbinë: Kemi ardhur vetëm për fitore

Elseid Hysaj
Elseid Hysaj

Shqipëria është gati për sfidën vendimtare ndaj Serbisë që zhvillohet të shtunën mbrëma në orën 20:45, takim ky me peshë të madhe për pozitat në grup. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, përkrah trajnerit Sylvinho, foli edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili nuk e fshehu emocionin e rikthimit në tokën serbe.

“Emocionalisht, për mua është njësoj si në 2014-ën. E po e përjetoj shumë fort edhe tani. Mezi pres të futem në fushë nesër”, u shpreh Hysaj, duke bërë krahasim të qartë me ndeshjen e famshme në Beograd një dekadë më parë.

Ai komentoi edhe për masat e rrepta të sigurisë rreth skuadrës kuqezi:
“Këto masa kanë qenë edhe më parë, janë më shumë për sigurinë e tyre, por për ne janë shtysë dhe motiv shtesë. Na karikojnë akoma më shumë për atë që na pret në fushë.”

Kapiteni u shpreh i vendosur për synimin që ka Shqipëria në këtë ndeshje:
“Të gjithë lojtarët e kanë parë vetë çfarë ndodh këtu, nga hoteli deri këtu ku erdhëm. E kemi ndjerë atmosferën. Ne nuk kemi ardhur për barazim e as për humbje – vetëm për fitore. Nuk mjafton të japim 100%, duhet të japim 120%.”

Lajmi i fundit: Shqipëria zbarkon në Nish nën masa të rrepta sigurie