
Aksionari i Rapid Bukureshtit, Victor Angelescu, ka zbuluar se klubi rumun kishte zhvilluar bisedime për rikthimin e Albion Rrahmanit, sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, por marrëveshja nuk u realizua.
Në një intervistë për Prima Sport, Angelescu tregoi se kontakti me lojtarin dhe menaxherin e tij u bë në fillim të këtij sezoni, mirëpo projekti i ri i Sparta Pragës dhe besimi i trajnerit të skuadrës në cilësitë e Rrahmanit e bënë atë të vazhdojë aventurën në Çeki.
“E provova sepse doja të shihja nëse ishte e mundur, ndonëse askush nuk besonte realisht se mund të ndodhte. Fola me menaxherin dhe me Albionin, por gjërat nuk shkuan më tej. Më pas trajneri i Spartës u ndryshua dhe ai e donte lojtarin. Menaxheri më tha qartë se Rrahmani do të mbetej atje, pasi ishte pjesë e planeve të klubit,” tha Angelescu.
Rrahmani iu bashkua Rapidit në vitin 2023 nga Ballkani, duke qëndruar vetëm një sezon në Rumani para transferimit te Sparta Praga për 5 milionë euro.
Në sezonin aktual, 25-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën e klubit çek, ku ka realizuar 8 gola në 16 paraqitje në të gjitha garat, duke lënë pas vështirësitë e vitit të kaluar dhe duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spartës.