
Manchester United dhe RB Leipzig kanë finalizuar transferimin e Benjamin Sheshko-s, në një marrëveshje me vlerë 85 milionë euro, shifër e bërë publike nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, përcjellë Kërlaçki.
Sulmuesi 22-vjeçar nga Sllovenia ka firmosur kontratë deri në vitin 2030. Me këtë shumë, ai renditet mes futbollistëve më të shtrenjtë nga hapësira e ish-Jugosllavisë, duke u pozicionuar menjëherë pas Josko Gvardiol-it, të cilin Manchester City e bleu dy vite më parë nga po i njëjti klub, RB Leipzig, për 90 milionë euro.
Sheshko u rrit si futbollist në sistemin e Red Bull Salzburg, ku fitoi emër dhe besim me paraqitjet e tij në kampionatin austriak. Më pas, ai u afirmua në Bundesliga me minuta të rregullta dhe gola vendimtarë. Në Kombëtaren e Sllovenisë është tashmë sulmuesi kryesor dhe lider i padiskutueshëm nën drejtimin e trajnerit Matjaz Kek.
Një “gjigant” në majë të sulmit
I gjatë 195 centimetra, Sheshko ofron një kombinim të fuqisë fizike, shpejtësisë dhe instinktit për gol. Manchester United pret që ai të rrisë konkurrencën në repartin ofensiv dhe të shtojë mundësi të reja në lojën në thellësi dhe në tranzicion. Kontrata afatgjatë siguron stabilitet për disa sezone dhe i jep klubit hapësirë për planifikim strategjik.
Ky transferim përfaqëson një hap të madh në karrierën e tij dhe një sfidë të re për t’u përshtatur me intensitetin e Premier League. Me fanellën e RB Leipzig, ai shënoi 39 gola në 87 ndeshje, ndërsa me RB Salzburg realizoi 29 gola në 79 paraqitje.