Steaua e Bukureshtit do të përballet me mungesa të shumta në ndeshjen e kthimit ndaj Dritës, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Mediat rumune raportuan të martën se skuadra do të mungojë me plot tetë lojtarë përballë ekipit gjilanas, në sfidën që zhvillohet të enjten në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Lajmi pozitiv për Steauan është rikthimi i portierit Stefan Tarnovanu dhe mbrojtësit Siyabonga Ngezana, të cilët munguan në takimin e parë për shkak të suspendimit. Megjithatë, ende mbetet në pikëpyetje paraqitja e Darius Olaru dhe Risto Radunovic, të cilët po rikuperohen nga lëndimet.
Nga formacioni titullar që u paraqit në humbjen e fundit në kampionat ndaj Unirea Slobozia, vetëm tre lojtarë janë të konfirmuar për ndeshjen kundër Dritës.
Sfida e parë, e luajtur javën e kaluar në Bukuresht, përfundoi 3:2 për Steauan, ndonëse Drita kishte avantazh 2:0 deri në 20 minutat e fundit të lojës.
Takimin në Prishtinë do ta gjykojë një katërshe nga Gjeorgjia, me Giorgh Kruashvilin kryesor, të ndihmuar nga Levan Varamishvili dhe Zaza Pipia, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Giorgi Avazashvili.