Suhareka iu rikthehet fitores, Mullallari: Po ndërtojmë një ekip të ri, të etur për sukses

Rafet Mullallari
Rafet Mullallari

Suhareka ka arritur fitoren e dytë në këtë edicion të Ligës së Parë, pas tri humbjeve radhazi që pasuan suksesin në javën e parë. Në dallim nga sezoni i kaluar, kur ekipi kishte pretendime të mëdha dhe një qasje më “gllamuroze”, këtë herë skuadra ka “zbritur me këmbë në tokë”. Me një grup të ri futbollistësh dhe një trajner premtues si Rafet Mullallari, Suhareka po ndërton themelet për një projekt afatgjatë.

Pas fitores me rezultat 4-2 ndaj 2 Korrikut, Mullallari foli për Kërlaçkin, duke komentuar mbi transformimin e ekipit dhe objektivat sezonalë:

“Suhareka e këtij sezoni dallon shumë nga viti i kaluar, kur kishim emra të njohur të futbollit. Fatkeqësisht, gjërat nuk ecën ashtu siç i kishim planifikuar. Këtë sezon kemi një ekip shumë të ri në moshë, por sa i përket paraqitjeve, mendoj se kemi treguar lojëra të mira, edhe pse rezultatet nuk na kanë përkëdhelur.”

“Sot mendoj se e dominuam ndeshjen. Krijuam shumë raste dhe shënuam katër gola. Jemi të kënaqur që gjetëm forcën për të përmbysur rezultatin nga 1:2 në 4:2. Këta djem të rinj kanë ende nevojë për përvojë, por ajo po vjen nga ndeshja në ndeshje. Besoj se pozita në mesin e tabelës do të ishte sukses për ne këtë sezon.”

Mullallari theksoi gjithashtu se drejtuesit e klubit kanë një vizion të qartë:

“Kryesia e klubit ka një projekt afatgjatë, ku brenda 2-3 sezoneve planifikojmë të rikthehemi në Superligë. Tash për tash, po formojmë një bazë më të fortë, me lojtarë të rinj e të etur për suksese.”

Suhareka në javën e gjashtë udhëton në Istog ku do të ndeshet me skuadrën homonime.