
FC Prishtina vazhdon të trumbetojë “bashkëpunime ndërkombëtare” me klube të njohura si Eyüpspor, Dinamo Zagreb, PAOK dhe Sporting Lisbona – por pa asnjë produkt konkret për t’i treguar tifozëve.
Së fundmi, pas humbjes së rëndë 4-0 ndaj Sheriff Tiraspol në Ligën e Konferencës, klubi doli me një tjetër njoftim për bashkëpunim – kësaj radhe me Eyüpspor, duke premtuar një miqësore që, me gjasë, do të ketë fatin e njëjtë si bashkëpunimet e mëparshme.
Si ashtu? Po pra, pa miqësore, pa huazime, pa ndihmë teknike, vetëm konsum për publikun.
Presidenti Rahman Haradini dhe drejtori sportiv Driton Krasniqi kanë qenë pjesë e këtyre vizitave dhe premtimeve, ku janë bërë dakordime në letër për zhvillimin e akademisë, trajnimet e trajnerëve, përforcime nga partnerët dhe ndeshje miqësore.
Por realiteti flet ndryshe: nuk ka pasur asnjë miqësore me këto ekipe, asnjë huazim dhe asnjë ndikim real në cilësinë e skuadrës.

Këto takime ndërkombëtare po shfaqen gjithmonë në kohë strategjike – menjëherë pas humbjeve apo krizave – si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga rezultatet në fushë.
Nëse nuk ka veprime konkrete, bashkëpunimet që paralajmërohen me zë të lartë nga Prishtina rrezikojnë të shndërrohen në një serial të zakonshëm propagande, i përdorur për të qetësuar opinionin pas dështimeve në Evropë dhe jo për ta ngritur klubin në nivelin që pretendon.