
Toni Kukoç, i lindur më 18 shtator 1968 në Split, është një nga basketbollistët më të mëdhenj që ka nxjerrë Evropa. Që në vitet e para me Jugoplastikën, ai shfaqi një stil unik si krah i gjithanshëm dhe u bë simbol i shkollës së basketbollit kroat. Me klubin e tij fitoi tre tituj radhazi të Kupës së Europës dhe dy herë u shpall MVP i Final Four-it. Më pas, me Benetton Treviso, fitoi kampionatin e Italisë dhe sërish titullin e lojtarit më të mirë në garat europiane.

Ai është i vetmi lojtar në histori që ka fituar tre herë radhazi Euroligën dhe më pas edhe tre tituj kampion në NBA. Në Europë dominoi me plot nëntë çmime individuale prestigjioze – Euroscar dhe Mister Europa.
Në NBA, ku luajti 13 sezone, Kukoç shkëlqeu te Chicago Bulls, përkrah Michael Jordan, Scottie Pippen dhe Dennis Rodman. Me ta fitoi tre tituj radhazi kampion dhe mori çmimin “Sixth Man of the Year” për rolin vendimtar nga stoli. Karrierën e vazhdoi te Philadelphia, Atlanta dhe Milwaukee, duke mbyllur me mesatare 11.6 pikë, 4.2 kërcime dhe 3.7 asistime në 846 ndeshje të sezonit të rregullt.
Me Kroacinë, Kukoç fitoi medalen e argjendtë olimpike në Barcelonë 1992, dy medale të bronzta evropiane dhe një medale të bronztë botërore. Me ish-Jugosllavinë, arriti të fitojë një kampionat botëror, dy evropianë, një medalje të argjendtë olimpike dhe tri medalje të arta me të rinjtë.
Në vitin 2021, ai u pranua në Hall of Fame si përfaqësues i basketbollit ndërkombëtar, duke e bërë Kroacinë vendin me më shumë anëtarë pas SHBA-së.
Toni Kukoç mbetet një prototip i lojtarit modern, i aftë të organizojë lojën, të shënojë nga distanca dhe të vendosë ndeshjet. Një yll që, edhe mes gjigantëve të NBA-së, pranoi rolin e duhur për të fituar – dhe u përjetësua në historinë e sportit.