
Albion Rrahmani vazhdon të shkëlqejë në fillimin e sezonit me Sparta Pragën. Sulmuesi kosovar ishte sërish vendimtar, duke realizuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Sigma Olomouc dhe duke i siguruar tri pikë të vlefshme skuadrës së tij.
Ky ishte goli i tretë për Rrahmanin në po aq ndeshje të zhvilluara në kampionat, një statistikë që dëshmon formën e lartë dhe instinktin e tij të mprehtë para portës.
Me paraqitje të tilla, Rrahmani po konfirmohet si një lider në fushë dhe një garanci për gola, duke e nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.
Pas ndeshjes, trajneri i Spartës, Brian Priske, e vlerësoi lart kontributin e tij, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe qetësisë së Rrahmanit në momente kyçe të lojës.
“Është e qartë se ai ka mësuar shumë gjatë viteve. Ende po punon me veten dhe po përmirësohet. Finalizimi i tij është i jashtëzakonshëm – e pamë si sezonin e kaluar, ashtu edhe tani”.
“Është mjaftueshëm i pjekur për ta shfrytëzuar përvojën. Kur përballet me portën kundërshtare, është shumë i qetë, i sigurt dhe i saktë”, tha Priske, duke lënë të kuptohet se Rrahmani tashmë është kthyer në një element kyç për ekipin.
