Trepça dhe Rahoveci kanë regjistruar fitore të rëndësishme në kuadër të javës së 7-të të Superligës së Kosovës në hendboll për meshkuj në ndeshjet e zhvilluara dhe të pakompletuara.
Në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Trepça e mposhti Prishtinën me rezultat 40:33. Edhe pse Prishtina ishte formalisht skuadra vendase, ndeshja u zhvillua në Mitrovicë, ku “xehetarët” dominuan nga fillimi e deri në fund, duke arkëtuar fitoren e tretë sezonale.
Kastrioti e nis me fitore javën e shtatë në Superligën e hendbollit
Eris Beqiri shkëlqeu me 14 gola, ndërsa Sali Maxhera dhe Matheus Henrique shtuan nga 9 secili. Portieri Mike Rahbek u dallua me pritje vendimtare. Te Prishtina, Albi Gjuka shënoi 9 gola, ndërsa Lum Xhemajli shtoi 7.
Për Prishtinën kjo ishte humbja e katërt në këtë sezon.
Ndërkohë, kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi me rezultat bindës 43:26 ndaj Llapit në Podujevë. Arbios Mushkolaj realizoi 13 gola dhe Granit Kadiri 11 për “vreshtarët”. Te Llapi, më efikasët ishin Blerton Hasani dhe Endrit Havolli me nga 5 gola.
Pas kësaj jave, Rahoveci ruan kreun e tabelës me 10 pikë, aq sa ka edhe Kastrioti në vendin e dytë, ndërsa Llapi mbetet me vetëm dy pikë.

