
Në një palestër moderne të ndërtuar në vitin 2008 me një investim prej rreth 8 milionë eurosh, skuadra e Trepçës ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së raundit të dytë të FIBA Europe Cup, që do të zhvillohet në Samokov të Bullgarisë.
Kampioni aktual i Kosovës, Trepça – që ka fituar gjashtë herë titullin vendor, përfshirë dy herët e fundit radhazi – do të përballet me ekipin më të suksesshëm në historinë e basketbollit holandez, Heroes Den Bosch, kampion 18 herë.
Takimi pritet të luhet të martën nga ora 21:00 me orën lokale (20:00 sipas orës së Kosovës).
Për Trepçën, kjo është hera e katërt që merr pjesë në garat evropiane që nga viti 2022.
Në debutimin evropian gjatë sezonit 2022/23 në FIBA Europe Cup, Trepça u eliminua nga skuadra gjermane Göttingen. Një vit më vonë, në sezonin 2023/24, “xehetarët” arritën sukses të konsiderueshëm, duke u kualifikuar në fazën e rregullt pas dy fitoreve ndaj Tindastoll nga Islanda dhe Parnu Sadam nga Estonia. Më pas, u përballën me skuadrën holandeze Leiden – ndaj së cilës pësuan dy humbje – si dhe me ekipin francez Gravelines-Dunkerque, ku arritën një fitore në dy takime.
Në edicionin e kaluar, Trepça regjistroi edhe pjesëmarrjen e saj të parë historike në Ligën e Kampionëve, ku eliminoi skuadrën qipriote Keravnos në një turne të zhvilluar në Turqi. Megjithatë, në fazën pasuese, u mposht nga çekët e Nymburk.
Pas eliminimit nga Champions League, Trepça u kualifikua direkt në fazën grupore të Europe Cup, ku përballë kishte skuadra të kalibrit të lartë si Riesen Ludwigsburg (Gjermani), Caledonia Gladiators (Britani) dhe Dijon (Francë), që rezultuan më të forta se kampionët kosovarë.
Kjo është përpjekja e dytë radhazi e Trepçës për ta kaluar raundin e dytë të këtij kompeticioni. Edhe pse Heroes Den Bosch konsiderohet favorite në letër sipas kompanive të basteve, trajneri Adis Beqiragiç dhe skuadra e tij besojnë se kanë potencial për ta siguruar kualifikimin në fazën tjetër.