
Kapiteni i Club Brugge, Hans Vanaken, ka komentuar publikisht situatën e mesfushorit shqiptar Ardon Jashari, i cili vazhdon të përflitet për një transferim të mundshëm te Milani.
Megjithëse lojtari ka arritur marrëveshje personale me klubin italian, negociatat mes Brugge dhe Milanit janë bllokuar, duke e lënë të pasigurt të ardhmen e tij.
Në një deklaratë për mediat belge, Vanaken tregoi mirëkuptim të plotë për Jasharin dhe dëshirën e tij për të kaluar te gjiganti i Serie A:
“E kuptoj. Nëse do të isha i ri dhe në pozitën e tij, edhe unë do të doja të shkoja te Milani”, tha ai.
Kapiteni belg konfirmoi gjithashtu se skuadra është e gatshme ta mirëpresë përsëri në stërvitje: “A do të rikthehet të hënën? Ne do ta presim me krahë hapur.”
Situata e Jasharit mbetet një nga çështjet më të ndjekura të kësaj vere në tregun ndërkombëtar. Deri në ditët e fundit të afatit kalimtar, mbetet të shihet nëse Milani do të arrijë ta bindë Bruggen për ta liruar një nga talentët më premtues shqiptarë në qarkullim.