
Java e tetë e Raiffeisen Ligës së Parë solli fitore të mëdha, përmbysje dramatike dhe surpriza të bujshme.
Vëllaznimi tregoi forcën e liderit duke mposhtur lehtësisht Besën në derbin dukagjinas dhe mban i vetëm kreun me 20 pikë. Feronikeli 74 përfitoi nga epërsia numerike për më shumë se një pjesë dhe mundi Tefik Çangën 2-0, duke iu afruar ndjeshëm vendit të parë.
2 Korriku regjistroi fitoren e parë të sezonit, duke befasuar Lirinë 3-0, ndërsa Prizreni arriti suksesin e parë historik në këtë edicion duke mposhtur Dinamon 2-1. Një tjetër surprizë e madhe erdhi në Mitrovicë, ku Suhareka mundi Trepçën 0-2, ndërsa Ramiz Sadiku siguroi tri pikët në minutat e fundit kundër Kikës.
Nga ana tjetër, Trepça ’89 tregoi karakter duke përmbysur KEK-un e trajnerit të sapoemëruar Nasufi me rezultat 2-1. Në Istog, derbi regjional me Rilindjen 1974 u mbyll pa gola, ndërsa Vushtrria, megjithëse u ndodh në disavantazh, e ktheu rezultatin në një fitore 3-2 ndaj Vjosës.
Ky kampionat po konfirmohet si një nga më të ekuilibruarit e viteve të fundit, ku çdo javë sjell të papritura dhe ndryshime në renditje.
