Vëllaznimi rikthehet të luajë në Gjakovë: Klubi zyrtarizon tre emra të rinj, Rexhepi paralajmëron dy afrime interesante

Vellaznimi

Skuadra e Vëllaznimit po vazhdon përgatitjet intensive për sezonin e ri, me synim ndërtimin e një grupi konkurrues.

Këtë edicion kuqezinjtë do të rikthehen para publikut fanatik në Gjakovë, teksa ndeshjet si vendës do t’i zhvillojnë në stadiumin ndihmës te palestra “Shani Nushi”, përcjellë “Kërlaçki”.

Trajneri i ekipit, Xhengiz Rexhepi, ka shprehur për televizionin lokal “Syri Vizion” kënaqësinë e tij me angazhimin dhe përkushtimin e futbollistëve gjatë kësaj faze përgatitore.

“Jemi shumë të kënaqur me performancën e skuadrës. Djemtë po japin maksimumin në çdo seancë. Aktualisht jemi në fazën e ngarkesës dhe programi i hartuar në bashkëpunim me kryesinë po ecën sipas planit. Gjithçka është në afatin e paraparë”, u shpreh Rexhepi.

“Po ashtu, jemi në pritje të dy futbollistëve të huaj që i kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Besoj se shumë shpejt do të na bashkohen dhe do të forcojnë repartin sulmues”, shtoi ai.

Xhengiz Rexhepi
Xhengiz Rexhepi

Ndërkohë, klubi nga Gjakova ka zyrtarizuar tri përforcime të reja gjatë ditës së mërkurë:

  • Ardi Shala, futbollist nga Ramiz Sadiku.

  • Amrush Bujupi, portier nga Malisheva.

  • Arlind Aliti, mbrojtës i ardhur nga KF Arsimi (Maqedonia e Veriut).

Vëllaznimi pritet të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore në vazhdim për të testuar skuadrën dhe për të përsosur formën para fillimit të kampionatit.

Vellaznimi