
KF Vjosa po hyn në një kapitull të ri me përgatitje serioze dhe strategji të qarta për sezonin e ri në Ligën e Parë.
Klubi ka nisur punën me intensitet të lartë për të ndërtuar një skuadër të qëndrueshme dhe konkurruese, e cila synon të lërë gjurmë në kampionatin që vjen.
Në krye të skuadrës është emëruar Burim Shala si trajner i parë, një njohës i mirë i futbollit vendor, ndërsa ndihmës i tij do të jetë Gramos Emini, po ashtu një figurë me përvojë që pritet të sjellë qetësi dhe disiplinë në fazën e përgatitjeve dhe gjatë garës.

Sa i përket merkatos, Vjosa ka bërë disa afrime të rëndësishme që pritet të rrisin cilësinë e skuadrës. Arbnor Zeqiri dhe Gentrit Dumani kanë ardhur nga Vëllaznimi.
Po ashtu është afruar Leart Emini – ish-lojtar i Superligës – është një përforcim me peshë në repartin e mesfushës, që së fundi luajti te Dukagjini.

Gjithashtu, me skuadrën është bashkuar edhe Rigon Kabashi nga Flamurtari, i cili njihet për shpirtin luftarak dhe fleksibilitetin në fushë.
Në anën tjetër, portieri Donat Mehmeti ka vendosur të vazhdojë besimin ndaj klubit dhe ka rinovuar kontratën, duke garantuar stabilitet në portë për edicionin e ri.