
Pasi Komisioni i Garave inicioi procedurë disiplinore, Komisioni Disiplinor ka dënuar klubin e futbollit Vushtrria për shkeljet e evidentuara në ndeshjen e së shtunës ndaj Lirisë.
Takimi i vlefshëm për Ligën e Parë u shoqërua me disa parregullsi. Klubi vushtrrias është gjobitur me 2000 euro, ndërsa ka marrë edhe vërejtjen e fundit para se t’i suspendohet terreni.
Pas barazimit, gjyqtarët dhe futbollistët prizrenas nuk kanë mundur të hyjnë në zhveshtore për rreth 20 minuta, pasi janë penguar nga tifozët vendas.
Sipas arsyetimit të vendimit të publikuar të martën nga FFK-ja, gjatë ndeshjes janë regjistruar raste të shumta:
- Në minutën e parë janë hedhur mjete piroteknike që shkaktuan ndërprerje të lojës për rreth 30 sekonda.
- Në minutat 50 dhe 74 janë hedhur shishe plastike në fushë.
- Në minutën e 84-t, pas golit të shënuar nga KF Liria, tifozët vendas kanë hedhur gurë, shkrepëse dhe sende të forta drejt bankinës së Lirisë.
- Pas përfundimit të takimit, nga tribuna perëndimore janë hedhur në drejtim të gjyqtarëve dhe lojtarëve të Lirisë shishe plastike të mbushura me zallë, gurë, shkrepëse dhe sende të tjera, shoqëruar me sharje dhe fyerje të shumta verbale. Për këtë arsye, gjyqtarët dhe lojtarët qëndruan në fushë për afër 20 minuta.
Ndërkohë, kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni, është dënuar me dy ndeshje moslojë, pasi “qëllimshëm goditi dhe dëmtoi mikrofonin qëndror të produksionit”.