Xhengis Rexhepi do të drejtojë Vëllaznimin vetëm edhe në ndeshjen e radhës ndaj Feronikelit, përpara se të mbyllë aventurën e tij me klubin gjakovar. Lajmin e ka bërë të ditur vetë trajneri shqiptar nga Maqedonia, i cili i ka njoftuar futbollistët për vendimin e tij.
Pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit dhe pas 17 javësh të zhvilluara, palët kanë rënë dakord për të ndarë rrugët, ndërsa mbetet për t’u luajtur edhe një ndeshje, ajo e javës së 18-të.
Vëllaznimi, që renditet në pozitën e katërt me 34 pikë – vetëm tre më pak se lideri Vushtrria – do të udhëtojë këtë fundjavë në “Rexhep Rexhepi” për t’u përballur me skuadrën e vendit të dytë, Feronikelin, që ka 36 pikë.
Pavarësisht largimit të trajnerit, Vëllaznimi ka pasur një sezon të mirë: vetëm tri humbje, sulmi i tretë më i mirë dhe një mbrojtje që renditet e pesta në kampionat.
Megjithatë, ndryshimet në pankinë kanë qenë të shpeshta për Vëllaznimin. Pas largimit të Leotrim Krasniqit dhe më pas të Mirel Josës, edhe Rexhepi do t’i japë fund angazhimit në krye të skuadrës kuqezi.
Klubi nuk dihet kur do të emërojë trajnerin e ri, megjithëse Vëllaznimin e pret edhe një ndeshje në Kupën e Kosovës.
Në disa media është përfolur edhe emri i Ismet Munishit si kandidat potencial, por vetë trajneri e ka mohuar këtë zë në një reagim në rrjetet sociale.