
Vedat Muriqi ka vendosur t’i qëndrojë besnik klubit të Mallorcas, duke zgjatur qëndrimin e tij në ishull deri në verën e vitit 2029. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, tashmë një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës, ka bërë të qartë se vendimi i tij nuk ka qenë i motivuar nga aspekti financiar, por nga stabiliteti familjar dhe vazhdimësia profesionale.
Në një intervistë për radion spanjolle “Cadena Ser”, Muriqi ka konfirmuar se paga e tij mbetet e pandryshuar, rreth 4 milionë euro në vit – një shumë që gjithsesi e bën atë lojtarin më të paguar në radhët e Mallorcas.
“Shumë njerëz më pyesin për pagën time. Me rinovimin, unë thjesht do të fitoj njësoj si më parë, por për një periudhë më të gjatë. Paratë nuk janë gjithçka për mua,” – deklaroi Muriqi.
Ai shtoi se vendimin për të qëndruar e kishte marrë në konsultim me familjen, veçanërisht me vajzën e tij:
“Agjenti më tregoi për disa oferta, por kur e pyeta vajzën nëse donte të largohej nga Mallorca, ajo më tha ‘jo’. Kjo e bëri të lehtë për mua.”
Muriqi iu bashkua Mallorcas në vitin 2022 nga Lazio për një shumë prej 8 milionë eurosh, dhe që nga ajo kohë është kthyer në një lider të padiskutueshëm në fushë dhe një idhull për tifozët.
Në tri sezone me fanellën kuq e zi, ai ka regjistruar 118 paraqitje, duke shënuar 35 gola dhe dhuruar 11 asistime në të gjitha garat.
Me këtë rinovim afatgjatë, Muriqi jo vetëm që forcon statusin e tij si shtyllë e Mallorcas, por edhe dërgon një mesazh të qartë: ndonjëherë, lumturia dhe familja vlejnë më shumë sesa çdo ofertë financiare.
