Zyrtare: Prishtina përballet me Larne në raundin e dytë të Ligës së Konferencës

fc prishtina
FC Prishtina

Pas eliminimit nga Liga e Evropës, FC Prishtina tashmë ka mësuar kundërshtarin e saj në raundin e dytë të Ligës së Konferencës Evropiane – ajo do të përballet me Larne FC nga Irlanda e Veriut.

Prishtina mposhti Sheriff Tiraspolin 2:1 në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, por u eliminuar me rezultat të përgjithshëm 5:2, për shkak humbjes 4:0 në ndeshjen e parë. Ndërkohë, Larne kaloi tutje të mërkurën pas dy barazimeve me skuadrën letoneze Auda (0:0 dhe 2:2), duke fituar më pas në serinë e penalltive.

Ndeshja e parë e përballjes do të zhvillohet më 24 korrik në Irlandën e Veriut, ndërsa ndeshja e kthimit më 31 korrik në Prishtinë.

Larne është një emër i njohur në futbollin kosovar. Në vitin 2023 u eliminua thellë nga Ballkani me rezultat të përgjithshëm 7:1, por një vit më pas befasoi duke eliminuar kampionin e Kosovës.

Tani është radha e Prishtinës për t’u përballur me ekipin irlandezverior. Skuadra kryeqytetase shihet si favorite, me një vlerë prej 5.6 milionë euro, krahasuar me 2.85 milionë të Larne. Megjithatë, kujdesi duhet të jetë maksimal – historia ka treguar se Larne di të surprizojë.

Kjo është një mundësi e re për Prishtinën që të vazhdojë aventurën evropiane dhe të kthejë një eliminim të hidhur në motivim për sukses.

Përndryshe do të jetë ky udhëtimi i dytë në Britaninë e Madhe për bardhekaltrit, por i pari i në Irlandën e Veriut, më parë kanë udhëtuar në Uells.