ZYRTARE: Prishtina prezanton trajnerin e ri – është emër i njohur!

Ish-basketbollisti i njohur grek, Michalis Kakiouzis, është emëruar trajner i ri i ekipit Sigal Prishtina. Prezantimi i tij u bë të hënën, ndërsa ai pritet të sjellë përvojën e tij të pasur në klubin kryeqytetas.

48-vjeçari ka një përvojë modeste si trajner, duke drejtuar më parë dy skuadra në Greqi, si dhe ekipin Craiova në Rumani. Së fundi ishte trajner i Keravnosit në Qipro, ku pati sukses të konsiderueshëm, duke dominuar në kampionatin qipriot.

Megjithatë, karriera e tij si lojtar ishte shumë më e pasur. Kakiouzis ka luajtur për klube të njohura evropiane si Montepaschi Siena, Barcelona, Sevilla, Efes Pilsen, Aris, Vanoli Cremona, Roma e të tjera. Gjatë karrierës ka fituar trofe në ligat elitare të Turqisë, Greqisë, Italisë, Spanjës dhe Qipros. Me një gjatësi prej 207 centimetrash, ai luante zakonisht afër koshit.

Me përfaqësuesen e Greqisë, Kakiouzis ka qenë kampion i Evropës dhe nënkampion bote – suksese që dëshmojnë për nivelin e lartë të tij si lojtar.

Prishtina, e cila ka disa vite që është në kërkim të një trofeu në basketbollin kosovar, shpreson që me ardhjen e Kakiouzisit t’i rikthehet lavdia.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.