Xhengis Rexhepi
KF Vëllaznimi ka zyrtarizuar ndarjen me kryetrajnerin Xhengis Rexhepi, përpara përfundimit të fazës së parë të kampionatit, duke mos pritur që ai të qëndronte në bankinë edhe për ndeshjen e fundit ndaj Feronikelit.
Xhengis Rexhepi largohet pas ndeshjes me Feronikelin, Vëllaznimi në kërkim të trajnerit të ri
Përmes një komunikate zyrtare, klubi gjakovar ka bërë të ditur se bashkëpunimi me trajnerin është ndërprerë menjëherë.
“Ju njoftojmë se Kryesia e klubit ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me kryetrajnerin Xhengis Rexhepi. Kryetrajnerin Rexhepi e falënderojmë për kontributin që ka dhënë, si dhe i urojmë suksese të mëtutjeshme në karrierën e tij,” thuhet në njoftimin e kuqezinjve.
Vëllaznimi aktualisht renditet në vendin e katërt në tabelën e Ligës së Parë me 34 pikë, vetëm tri më pak se lideri Vushtrria. Klubi nuk ka dhënë ende detaje për trajnerin që do ta udhëheqë skuadrën në ndeshjen e javës së 18-të dhe për ndeshjet e Kupës së Kosovës. Sipas njoftimit, informacione të mëtejme për stafin teknik do të publikohen në kohë.
Kjo është ndarja e tretë me një trajner këtë sezon për klubin gjakovar, pas Leotrim Krasniqit dhe Mirel Josës.