
Skuadra e 2 Korrikut do ta zhvillojë një pjesë të përgatitjeve parasezonale në qytetin e Ohrit, Maqedonia e Veriut. Nga data 27 korrik deri më 4 gusht, verdheblutë nga Prishtina do të jenë të vendosur në tokën maqedonase, ku do të përgatiten për edicionin e ri të garave, i cili nis më 16/17 gusht.

Nën drejtimin e trajnerit Labinot Haziri, ekipi do të udhëtojë me një ekspeditë prej 25 futbollistësh, me planin për të kryer nga dy seanca stërvitore në ditë. Stafi teknik ka paraparë intensitet të lartë pune, për të ngritur formën fizike dhe taktike të ekipit para fillimit të sezonit, – thuhet në njoftimin e skuadrës nga lagjja Arbëria në Prishtinë.
Gjatë kësaj faze përgatitore, FC 2 Korriku pritet të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, përmes të cilave do të testohet gjendja aktuale e skuadrës dhe do të jepet hapësirë për eksperimentime të ndryshme. Lajmet dhe përditësimet lidhur me duelet miqësore do të publikohen rregullisht në kanalet zyrtare të klubit në rrjetet sociale dhe këtu në Kërlaçki.

Edhe 2 Korriku U19 nis fazën përgatitore në ONIX Resort
Ekipi U19 i FC 2 Korriku ka nisur po ashtu fazën përgatitore për sezonin e ri në Superligën e Juniorëve dhe në UEFA Youth League. Të rinjtë e klubit prishtinas janë akomoduar në ONIX Resort në Banjë të Pejës ku do të zhvillojnë përgatitjet para fillimit të garave zyrtare.
Skuadra, nën drejtimin e trajnerit Ardit Gashi, ka filluar stërvitjet me ritëm të lartë, duke zhvilluar seanca dyherëshe në ditë – njëra në fushën e futbollit dhe tjetra në sallën e fitnesit.
Grupi përbëhet nga 28 futbollistë, përfshirë edhe përforcimet e reja të afruara gjatë afatit kalimtar të verës.