
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, shënoi një gol të mrekullueshëm ndaj Rigas të enjten mbrëma, duke vulosur fitoren 2:0 të Spartas së Pragës.
Ky gol mund të rezultojë vendimtar për skuadrën çeke në garën për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Qendërsulmuesi 24-vjeçar u inkuadrua në 25 minutat e fundit të ndeshjes dhe pati ndikim të menjëhershëm.
Ai po kalon një formë të shkëlqyer që nga starti i sezonit, njësoj si edhe Sparta e Pragës e drejtuar nga trajneri Brian Priske.
Për Rrahmanin ky ishte goli i gjashtë në 10 paraqitje zyrtare këtë sezon, me një mesatare mbresëlënëse – një gol çdo 80 minuta lojë.
Tre prej tyre i ka realizuar në kampionatin çek dhe tre të tjerë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.