Shkëndija përballë Ludogoretsit: Vendoset fati i Ligës së Europës

Liridon Latifi dhe Jeton Beqiri
#post_seo_title

Mbrëmjen e sotme, në orën 19:30, në stadiumin “Huvepharma Arena” në Razgrad të Bullgarisë, Shkëndija e Tetovës do të përballet me Ludogoretsin në ndeshjen e kthimit të fazës “play-off” të Ligës së Europës.

Skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut vjen në këtë takim me një epërsi minimale 2-1 të siguruar në ndeshjen e parë në Shkup. Një rezultat që e vendos Shkëndijën përpara një shansi historik për të prekur fazën e grupeve të Ligës së Europës. Në rast të një humbjeje sonte, kuqezinjtë do të vazhdojnë rrugëtimin europian në Ligën e Konferencës.

Beqiri: “Ludogoretsi favorit, por jo i paprekshëm”

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, u shpreh realist, por edhe optimist.

“Gjatë një ndeshjeje ka momente të ndryshme, nuk mund të jesh gjithmonë ofensiv apo defensiv. Do të mundohemi të jemi të disiplinuar dhe të shfrytëzojmë rastet që na jepen. Ludogoretsi është ekip cilësor dhe mund të ndëshkojë në çdo moment nëse nuk je 100% i fokusuar”, tha Beqiri.

Ai shtoi se, pavarësisht statusit të Ludogoretsit si favorit, futbolli është i paparashikueshëm: “Jo gjithmonë fiton skuadra me emër më të madh. Ne do të japim maksimumin për të arritur një kualifikim që do të ishte historik.”

Liridon Latifi
Liridon Latifi

Latifi: “Presioni është mbi ta, jo mbi ne”

Edhe sulmuesi i Shkëndijës, Liridon Latifi, u shpreh i përgatitur dhe i vendosur për të dhënë gjithçka në fushë.

“Gjatë kësaj jave kemi punuar fort për një rezultat pozitiv. Presioni nuk është në anën tonë, por mbi kundërshtarin. Ne kemi fituar 2-1 në Shkup dhe shpresojmë të marrim një tjetër rezultat pozitiv,” theksoi Latifi.

Ai nënvizoi edhe përgatitjet për goditjet standarde, duke kujtuar golin e tij nga gjuajtja e lirë në takimin e parë: “Këto situata i kemi stërvitur gjatë gjithë javës. Gjuajtja e lirë nuk ishte rastësi – është diçka që e kam ushtruar që nga fëmijëria.”

Skuadra gati, mungon vetëm Mazari

Trajneri Beqiri konfirmoi se i gjithë grupi është në dispozicion, me përjashtim të mbrojtësit Atdhe Mazari, i cili nuk ka të drejtë loje. Për pjesën tjetër të lojtarëve, vendimi për formacionin do të merret pak para ndeshjes.

“Kemi disa lojtarë me shqetësime të vogla, por besoj se të gjithë janë gati për të dhënë maksimumin. Çdo lojtar është i rëndësishëm për ne, dhe kemi treguar që edhe ata që hyjnë nga pankina kanë ditur të bëjnë diferencën,” tha Beqiri.