Suedia përballet me kritika të ashpra pas humbjes ndaj Kosovës: Futboll fëmijësh

Kosova - Suedia 2-0
Kosova - Suedia 2-0

Kombëtarja suedeze është në krizë pas humbjes befasuese ndaj Kosovës. Kritikët vënë në pikëpyetje qasjen taktike, mungesën e ekuilibrit dhe ndërtimin e skuadrës. Megjithatë, shpresa për një kualifikim ende nuk është shuar, edhe pse rruga është bërë më e vështirë, theksojnë mediet suedeze, përcjellë Kërlaçki.

Pas humbjes 0-2 ndaj Kosovës në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, kritikat ndaj përzgjedhësit Jon Dahl Tomasson dhe filozofisë së tij ofensive nuk kanë munguar. Sportbladet ka mbledhur reagimet e disa prej figurave të njohura të futbollit suedez, të cilët analizuan situatën aktuale të ekipit kombëtar.

Andreas “Granen” Granqvist, ish-kapiten i kombëtares:

Kosova luajti mirë, ndërsa ne ndoshta ishim shumë të hapur në mbrojtje gjatë sulmeve. Kjo krijon hapësira të mëdha që kundërshtari i shfrytëzoi.

Për filozofinë e lojës:
– Trajneri dhe stafi kanë një mënyrë loje. Duhet të vazhdojnë t’i besojnë asaj dhe të përmirësojnë detajet. Por kur pasimet nuk funksionojnë 100%, ndoshta duhet më shumë ekuilibër në prapavijë.

Për kualifikimin:
– Ka ende shumë ndeshje përpara. Nuk është mbyllur asgjë, por duhet të kishim më shumë pikë në këtë fazë.


Anders Andersson, ekspert:

– Në kohën time me trajnerët Söderberg dhe Lagerbäck kishim një mbrojtje të hekurt. Sot është ndryshe. Kjo mënyrë loje funksionon vetëm kundër kundërshtarëve më të dobët.

Kritikë për sistemin aktual:
– Loja man-to-man kërkon lojtarë shumë të shpejtë dhe të fortë. Pa një mesfushor mbrojtës të qartë, dje dukej si një ekip fëmijësh – të gjithë ndiqnin topin.

Për kualifikimin:
– Shpresat mbeten, por duket shumë më e vështirë tani.


Marcus Berg, ish-sulmues i kombëtares:

– Nuk ishte rezultati që prisnim. Besonim te tre pikët. Tani e kemi vështirë, por shpresa ekziston.

Për filozofinë e lojës:
– Nëse lojtarët besojnë në të dhe funksionon, atëherë mund të vazhdohet kështu. Por do të jetë shumë e vështirë për të siguruar kualifikimin.


Andreas Brännström, trajner:

– Kjo gjeneratë di të fitojë vetëm kur është dukshëm më e mirë se kundërshtari. Nuk kanë cinizëm, nuk fitojnë me vuajtje. Mungon balanca.

Kritikë për ndërtimin e skuadrës:
– Nuk kemi një mesfushor që të dijë të pasojë dhe të mbrojë njëkohësisht. Është një dështim i madh për futbollin suedez.


Tobias Hysén, ish-lojtar i kombëtares:

– Disa gabime ishin të pafalshme. Goli i dytë është përgjegjësi e trajnerit, por edhe lojtarët bënë gabime të nivelit junior.

Për filozofinë:
– Jo, jo nëse vazhdon si dje. S’mund të lësh mbrojtësit në situata një kundër një pa mbështetje.


Bosse Andersson, drejtor sportiv:

– Prisnim shumë më tepër ndaj një kundërshtari të dobët në letër. Ishim të shpërndarë në mbrojtje, dhe kjo është gabim organizativ.

Për kualifikimin:
– Nuk mund të arrish Kupën e Botës me një organizim të tillë. Kishim shortin ideal, por tani kemi vetëm një pikë në dy ndeshje.


Alexander Axén, analist:

– Ishte një katastrofë. Ekipi nuk kishte energjinë e pjesës së parë ndaj Sllovenisë. Nuk kemi mbrojtësit që kërkon kjo mënyrë loje.

Për trajnerin Jon Dahl Tomasson:
– Kam përshtypjen se është përdorur si një “tranzicion” drejt një trajneri të ri që do të jetë mes stilit të Janne dhe Jon.

Për shpresat:
– Ka ende mundësi. Nëse nuk fitojmë grupin, ndoshta kemi një shans në play-off. Derisa të shuhet çdo shpresë, duhet të besojmë.