
Pas nëntë vitesh mungesë, Sunderland do të rikthehet në Premier League. Klubi me histori të pasur dhe lidhje të fortë me tifozët synon të realizojë një mision të vështirë – mbijetesën mes elitës angleze. Diferenca mes Premier League dhe Championship është thelluar gjithnjë e më shumë, me faktin se klubet e sapongjitura janë ata që zakonisht bien menjëherë.
Sunderland nuk dëshiron të jetë një prej tyre – dhe këtë verë e ka treguar me një politikë transferimesh që i ka befasuar të gjithë. Në listën e dhjetë klubeve që kanë shpenzuar më shumë në këtë merkato, Sunderland zë vendin e nëntë, duke sfiduar gjigantë financiarë botërorë. Kjo është e jashtëzakonshme për një klub që vetëm tre vite më parë luante në kategorinë e tretë dhe që shpenzonte shuma modeste.

Modeli unik: “Ngadalë, fuqishëm, në mënyrë të qëndrueshme”
Rritja e Sunderland filloi në fund të vitit 2020, kur Kristjaan Speakman, ish-drejtues i akademisë së Birmingham City, u emërua drejtor sportiv. Së shpejti, klubin e mori në pronësi Kyril Louis-Dreyfus, një 23-vjeçar francez nga një familje miliardere, i cili u bë presidenti më i ri në historinë e futbollit anglez.
Megjithëse familja e tij zotëron një pasuri prej 17 miliardë euro, Kyril nuk hodhi para pafund në skuadër, siç ndodh shpesh me pronarët e rinj. Në dy vitet e para, Sunderland pagoi kartonë për vetëm dy lojtarë, në vlera shumë të ulëta. Strategjia ishte ndryshe – të ndërtohej një projekt afatgjatë, duke u bazuar në tre parime: rritje e ngadaltë, forcë dhe qëndrueshmëri.
Klubi u përqendrua në blerjen e lojtarëve të rinj dhe të nënvlerësuar, duke përdorur skauting tradicional dhe analiza të avancuara. Disa prej tyre dështuan, si Leon Dajaku apo Nazarij Rusin, por shumica u kthyen në investime të suksesshme. Jack Clarke, i marrë falas nga Tottenham, u shit për 17.7 milionë euro. Jobe Bellingham, vëllai i Jude Bellingham, erdhi për 1.75 milionë euro dhe u shit për 30.5 milionë në Borussia Dortmund.
Kthesa strategjike dhe rikthimi në elitë
Pas tre sezoneve në Championship dhe me investime totale prej 30 milionë eurosh, Sunderland arriti rikthimin në Premier League përmes playoff-it. Ky sukses sjell përfitime të mëdha financiare – mbi 200 milionë euro më shumë sesa në Championship. Por, për të mbijetuar mes më të mirëve, klubi vendosi të përshtasë modelin.
Tani, përveç se blejnë lojtarë të rinj, janë të gatshëm të paguajnë më shumë për talentet e dëshiruara. Gjatë kësaj vere, Sunderland ka realizuar pesë nga gjashtë transferimet më të mëdha në historinë e klubit. I vetmi përjashtim është Reinildo Mandava, i ardhur falas nga Atletico Madrid. Pjesa tjetër janë lojtarë të rinj me përvojë në liga të forta.
Në shënjestër edhe emra të mëdhenj
Klubi ishte shumë afër të siguronte shërbimet e mesfushorit të përfaqësueses zvicerane, Granit Xhaka, por Bayer Leverkusen refuzoi ofertën. Megjithatë, drejtuesit e Sunderland nuk ndalen – janë të gatshëm të investojnë edhe më shumë, madje të arrijnë deri në 200 milionë euro shpenzime në këtë merkato.
Edhe nëse projekti dështon në Premier League, ata janë të bindur se investimet mund të rikuperohen përmes shitjeve. “Do të qëndrojmë besnikë ndaj parimeve tona,” – deklaroi Speakman. “Duam të ndërtojmë një skuadër që do të jetë burim krenarie për qytetin dhe komunitetin tonë, duke marrë vendime të menduara për të shmangur gabimet e së kaluarës.”
