
KB Trepça ka bërë goditjen më të re në merkato duke firmosur me basketbollistin boshnjak Adnan Arslanagiç, i cili pritet të forcojë radhët e kampionëve të Kosovës.
Arslanagiç, i lindur më 26 gusht 1997 në Sarajevë, ka karrierë të pasur në basketbollin rajonal. Ai ka qenë pjesë e klubeve si Bosna Royal, Kakanj, Ilirija, Shibenik dhe së fundi ka përfaqësuar edhe kombëtaren e Bosnjë e Hercegovinës në EuroBasket 2025.

Në kampionatin evropian, edhe pse me minutazh të kufizuar, ai regjistroi paraqitje në tri ndeshje duke dhënë kontribut me asistime dhe organizim loje. Statistikat e tij sezonale tregojnë një lojtar me aftësi të mira në dirigjimin e skuadrës, me mesatare mbi 14 pikë dhe rreth 4 asistime në klubet ku ka luajtur.
Nënshkrimi me Arslanagiç shihet si lëvizje strategjike e Trepçës, e cila synon të forcojë konkurrencën në Superligën e Kosovës dhe të bëjë hap përpara edhe në garat ndërkombëtare konkretisht tani më 21 shtator në kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Me përvojën e tij pritet të sjellë stabilitet dhe kreativitet në lojën e skuadrës mitrovicase, kampione të Kosovës.