
Amir Shaipi, portieri i dytë i Kombëtares së Kosovës, tani është bërë edhe zgjedhja e dytë te Lugano në Superligën e Zvicrës.
Për katër vite radhazi ai ka qenë titullar i skuadrës zvicerane, por këtë edicion forma e tij ka qenë nën pritshmëritë.
Në ndeshjen e fundit kundër St. Gallenit, trajneri Mattia Croci-Torti vendosi t’i besojë portën gardianit me përvojë, David von Ballmoos, i transferuar pak ditë më parë nga Young Boys. Shaipi madje nuk u grumbullua fare për këtë ndeshje që Lugano e humbi 1:0.
Trajneri Croci-Torti e pranoi se vendimi nuk ishte i lehtë: “Shaipi ka bërë punë të shkëlqyer për katër vite te Lugano, por pashë te Von Ballmoos gjëra që më bindën se është zgjedhja më e mirë për momentin. Ky është futbolli, ka momente kur duhen marrë vendime të vështira. Nuk është e lehtë as për mua, pasi Amiri është në zemrën time, por unë paguhem për të marrë edhe vendime të tilla. Jam i bindur që ai do të reagojë në mënyrë korrekte, edhe pse i duhen dy-tri ditë për t’i qartësuar gjërat në kokën e tij”.
Shaipi, 25-vjeçar, është pjesë e Luganos që nga viti 2021 dhe e ka konsoliduar veten si një nga portierët më të besueshëm në kampionatin zviceran, por tashmë përballet me një sfidë të re për të rifituar vendin e tij si titullar.