Andrea Pirlo gjen klub të ri

Adrea Pirlo
Adrea Pirlo

Ish-ylli i futbollit italian, Andrea Pirlo (46 vjeç), do ta vazhdojë karrierën si trajner në Dubai United, klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pirlo, që shkëlqeu gjatë karrierës si lojtar, fitoi Kupën e Botës me Italinë më 2006, dy herë Ligën e Kampionëve me Milanin, dhe gjithsej gjashtë tituj kampioni të Italisë me Milanin dhe Juventusin. Megjithatë, karriera e tij si trajner deri më tani nuk ka qenë aq e suksesshme.

Ai nisi aventurën si trajner me Juventusin në gusht të vitit 2020, por u shkarkua në maj 2021. Më pas provoi në Turqi me Fatih Karagümrük, si dhe në Serie B me Sampdorian, ku gjithashtu u shkarkua pas një fillimi të dobët sezoni.

Klubi i tij i ri, Dubai United, aktualisht mban vendin e dytë në tabelën e Ligës së Parë të Emirateve, me tre pikë më pak se liderët Elite Falcons, por edhe me një ndeshje më shumë të zhvilluar.