
Anglia siguron Botërorin – Harry Kane udhëheq “Tre Luanët” drejt fitores 5-0 ndaj Letonisë. Serbia fiton me rikthim pas pësimit të golit të disavantazhit pothuajse nga gjysma e fushës

Anglia ka siguruar pjesëmarrjen në finalet e tetëta radhazi të Kupës së Botës, pas një fitoreje të thellë 5-0 ndaj Letonisë në Riga, duke ruajtur bilancin 100% pas gjashtë ndeshjesh kualifikuese.
Trajneri Thomas Tuchel bëri dy ndryshime nga formacioni që mundi Uellsin pesë ditë më parë, duke rikthyer kapitenin Harry Kane në krye të ekipit dhe duke aktivizuar për herë të parë Myles Lewis-Skelly. Kane ishte menjëherë protagonist, me një gol të anuluar për pozicion jashtë loje që në minutën e parë dhe më pas me një goditje që kaloi pranë shtyllës pas asistit të Anthony Gordon.
“Tre Luanët” nisën me vendosmëri dhe vetëbesim, duke krijuar raste për Gordon dhe Bukayo Saka, dhe ishte çështje kohe para se të thyhej mbrojtja vendase. Gordon zhbllokoi shifrat me një goditje të fuqishme nga brenda zonës pas një topi të gjatë nga John Stones.
Ekipi i Tuchel dominonte plotësisht kur Kane shënoi me një goditje të bukur me të majtën nga distanca dhe më pas realizoi edhe penalltinë në minutën e fundit të pjesës së parë.
Pas pushimit, Letonia pati një rast të rrallë përmes Gutkovskis, por Ezri Konsa ndërhyri me saktësi për të ndalur rrezikun. Goli i katërt erdhi sërish për Anglinë, këtë herë falë një autogoli të Andrejs Cigaņiks, pas një krosimi të Djed Spence.
Letonia u përpoq të reagojë, duke ngjallur entuziazëm në tribunat e stadiumit me dy raste për Maksims Toņiševs dhe Eduards Dašķevičs, por Pickford reagoi mirë. Në fund, Eberechi Eze vulosi rezultatin me një gol të pestë, duke kompletuar një mbrëmje perfekte për anglezët.
Kjo ishte një nga fitorjet më të lehta të Anglisë në këtë fushatë, ku ata kanë shënuar 17 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Tuchel do të arrijë të thyejë “mallkimin” e kombëtares që nuk ka fituar asnjë trofe madhor që nga viti 1966.
Serbia përmbys Andorrën dhe mban gjallë shpresat për Botëror
Me gola në pjesën e dytë nga Dushan Vlahoviç dhe Aleksandar Mitroviç, Serbia pa trajner në pankinë arriti një fitore me përmbysje 3-1 ndaj Andorrës, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Kupën e Botës 2026.
Andorra, që kishte shënuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e mëparshme kualifikuese, befasoi në minutën e 17-të me një goditje spektakolare nga distanca të Guillaume Lopez. Por gëzimi zgjati pak – vetëm dy minuta më vonë, Christian Garcia realizoi autogol pas një goditjeje këndi nga Stankoviç, duke rikthyer baraspeshën.
Pas një pjese të parë të tensionuar dhe pa shumë konkretizim, Serbia mori kontrollin në pjesën e dytë. Vlahoviç zhbllokoi rezultatin në minutën e 54-të me një goditje të saktë me kokë pas asistit të Kostiç. Pas disa tentativave të pasuksesshme, Mitroviç fitoi dhe shënoi një penallti në minutën e 77-të, duke vulosur rezultatin.
Kjo fitore e çon Serbinë vetëm një pikë pas Shqipërisë së vendit të dytë në Grupin K, me edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Ndërkohë, Andorra mbetet në fund të tabelës me gjashtë humbje dhe një barazim.