Ardon Jashari refuzon ofertën e klubit aglez, prioriteti i tij mbetet vetëm Milani

Tare dhe Jashari

Mesfushori i Club Brugge, Ardon Jashari, ka refuzuar mundësinë për t’u transferuar te një skuadër e njohur e Premier League, pasi dëshira e tij kryesore mbetet të luajë për Milanin.

Sipas raportimeve të “Sempremilan”, West Ham United kishte shfaqur interes për shërbimet e 22-vjeçarit, por Jashari ka bërë të qartë se në mendje ka vetëm “Djallin e Kuq”. Ndërkohë, negociatat mes Milanit dhe Club Brugge vazhdojnë, pa një marrëveshje të arritur ende.

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, konfirmoi së fundmi se Jashari dëshiron të jetë pjesë e klubit në “San Siro”. Klubi italian ka rritur ofertën e tij në 35 milionë euro për të bindur skuadrën belge, e cila më parë kishte refuzuar një propozim tjetër për mesfushorin.

Ardon Jashari

Nëse transferimi realizohet, Jashari pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Milanin, me një pagë neto prej 2.8 milionë eurosh.

22-vjeçari shqiptar iu bashkua Club Brugge në verën e vitit të kaluar nga Luzerni për 6 milionë euro dhe gjatë sezonit të kaluar shkëlqeu me klubin belg, ku ka kontratë deri në vitin 2029.