
Skuadra gjermane Hoffenheim është shumë pranë transferimit të një tjetër futbollisti shqiptar. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin e Luganos, Albian Hajdari.
Sipas të përditshmes zvicerane Blick, 22-vjeçari nuk është paraqitur në stërvitjen e fundit me Luganon, pasi ka pranuar një ofertë të rëndësishme nga Hoffenheimi. Ende nuk ka asgjë zyrtare, por marrëveshja duket të jetë në fazën përfundimtare.
Më herët gjatë verës ishte raportuar se Hajdari kishte arritur një akord me West Ham Unitedin, ndërsa për shërbimet e tij kanë shprehur interes edhe klube të tjera evropiane.
Hajdari konsiderohet një nga mbrojtësit më premtues të Superligës së Zvicrës. Ai është pjesë e Luganos që nga viti 2023, me kontratë të vlefshme deri në qershor 2028. Karrierën e tij e ka nisur te Baseli, ndërsa ka kaluar edhe te Juventusi, ku është zhvilluar më tej si lojtar.
Në rast se transferimi finalizohet, Hajdari do t’i bashkohet në Hoffenheim dy futbollistëve shqiptarë: Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, duke forcuar edhe më shumë praninë shqiptare në klubin gjerman.