Bashkimi gati për sezonin e ri: përforcime, vazhdime dhe debutim historik në Evropë

bledar gjecaj dhe elbesar gështenj
Bledar Gjecaj dhe Elbesar Gështenj

KB Bashkimi po hyn në sezonin 2025/26 me ambicie të mëdha dhe një projekt serioz në ndërtim. Klubi prizrenas ka prezantuar disa përforcime të rëndësishme, ka ruajtur boshtin vendor dhe do të shënojë debutimin historik në garat evropiane.

Klubi Basketbollistik Bashkimi nga Prizreni po përgatitet organizativisht për sezonin 2025/26 me një sërë zhvillimesh të rëndësishme në drejtimin teknik dhe përbërjen e skuadrës, ndërsa për herë të parë në histori do të marrë pjesë në arenën evropiane, përcjellë Kërlaçki.

Klubi ka zyrtarizuar më herët emërimin e malazezit Igor Jovoviç si trajner të parë. Jovoviç sjell një përvojë të madhe ndërkombëtare, me një karrierë të pasur në klube si Buduçnost Voli të Podgoricës (ku fitoi 6 trofe), Mitteldeutscher, Zielona Gora, Bayern Munich (ndihmës trajner në EuroLeague), Telekom Baskets Bonn, SYNTAINICS MBC dhe së fundmi Kazma SC në Kuvajt. Nën drejtimin e tij, Bashkimi synon të rrisë nivelin dhe ambiciet në të gjitha garat ku do të marrë pjesë.

Stabiliteti do të ruhet përmes vazhdimësisë së dy ndihmës trajnerëve, Bledar Gjecaj dhe Elbesar Gështenja, të cilët do të jenë sërish pjesë e stafit teknik, duke sjellë përvojë dhe përkushtim në shërbim të projektit “portokalli”.

dequon lake
dequon lake

Në aspektin e përforcimeve, Bashkimi ka prezantuar tre afrime të huaja me profil të lartë, organizatorin amerikan Kyan Anderson, me përvojë në disa prej ligave më të forta evropiane, qendrën De’Quon Lake, që vjen nga liga hungareze pas një sezoni mbresëlënës me Atomeromu Paks dhe sulmuesin Jeremiah Bailey, i cili së fundmi ishte pjesë e Sporting CP në Portugali, ku spikati në FIBA Europe Cup dhe në kampionatin vendas.

jeremiah bailey
jeremiah bailey

Paralelisht, klubi ka konfirmuar vazhdimësinë e lojtarëve Meriton Ismaili, Lejson Zeqiri, Valon Bunjaku dhe Altin Morina, ndërsa Samir Zekiqi është larguar për t’u bashkuar me KB Vëllaznimi.

Një tjetër lajm i madh për klubin dhe qytetin e Prizrenit është pjesëmarrja për herë të parë në kualifikimet e FIBA Europe Cup. Pas hedhjes së shortit, Bashkimi do të përballet me Anwil Wloclawek, një nga klubet më të suksesshme të basketbollit polak dhe me përvojë të gjatë në garat evropiane. Përballja do të zhvillohet në formatin “vajtje-ardhje”, me skuadrën që synon një vend në fazën e grupeve të këtij kompeticioni prestigjioz.

Nga radhët e akademisë, dy talentë të rinj, Besim Bytyqi dhe Fis Jashari, janë përzgjedhur në listën përfundimtare të Kombëtares U18 të Kosovës që do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian – Divizioni B në Rumani. Kjo ftesë është një vlerësim për paraqitjet e tyre të shkëlqyera dhe angazhimin maksimal që kanë treguar duke u shpallë me skuadrën e Bashkimit si kampion të vendit për edicionin 2024/25. Kosova do të përballet me Hungarinë, Estoninë, Zvicrën, Çekinë dhe Finlandën në një grup të fortë, por me shpresë dhe besim në potencialin e këtyre të rinjve.

Me një trajner të ri ambicioz, përforcime cilësore dhe një pjesëmarrje historike në Evropë, Bashkimi nis sezonin 2025/26 ka qëllime të qarta për sukses dhe zhvillim të mëtejshëm, konstaton Kërlaçki.