Besimi dhe uniteti, armët kryesore të Shkëndijës për Qarabagun!

Shkendija
Shkendija

Skuadra shqiptare nga Tetova, Shkëndija, do të përballet nesër me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Në prag të këtij dueli të rëndësishëm, trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi folën para gazetarëve në konferencën për shtyp, ku shprehën besimin e tyre për një paraqitje dinjitoze.

Trajneri Jeton Beqiri theksoi se skuadra e tij respekton kundërshtarin, por mbi të gjitha respekton vetveten dhe fanellën që përfaqëson:

“Duhet të paraqitemi në nivelin më të lartë të mundshëm në Ligën e Kampionëve. Besoj se kemi shanset tona, por duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe agresivë në lojë. Çdo rast duhet shfrytëzuar. Kjo ndeshje nuk do të vendos gjithçka, por një rezultat pozitiv do të na ndihmonte shumë për sfidën e kthimit.”

Shkendija
Shkendija

Nga ana tjetër, kapiteni Besart Ibraimi theksoi vetëbesimin dhe unitetin brenda ekipit:

“Ne besojmë në forcat tona dhe shpresojmë të vazhdojmë këtë rrugëtim. Qarabag është një kundërshtar i fortë, por edhe ne kemi cilësi dhe do të japim maksimumin për t’u kualifikuar.”

Ndërkohë, në shortin e hedhur sot në Nion të Zvicrës, UEFA ka përcaktuar edhe skemën për fazën “play-off” të Ligës së Kampionëve. Fituesi i çiftit Shkëndija – Qarabag do të përballet me fituesin e ndeshjes Ludogorets (Bullgari) – Ferencvaros (Hungari).

Në rast eliminimi nga Qarabag, Shkëndija do të përballet me njërin prej këtyre dy ekipeve në rrugën për në Ligën e Evropës.

Ndeshja Shkëndija – Qarabag zhvillohet nesër, më 5 gusht 2025, në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, me fillim në orën 20:00.

Shkëndija e fokusuar te Qarabag, por UEFA ka përcaktuar tashmë kundërshtarët e mundshëm për “play-off”