
Duket si një skenar i pabesueshëm, por është i vërtetë: Mac McClung, kampioni aktual i NBA-së në garën e ngulitjeve, u largua nga Chicago Bulls vetëm tre orë pas firmosjes së kontratës.
26-vjeçari, i njohur për spektaklin që sjell në ajër, u bë zyrtarisht pjesë e Bulls ditën e djeshme, duke ngjallur shpresat se më në fund do të merrte një shans të vërtetë në elitën e basketbollit amerikan. Por, sipas raportimeve të Kevin Smith nga Spotrac, klubi vendosi ta përjashtojë nga skuadra pothuajse menjëherë pas zyrtarizimit.
Ky veprim e fut rastin McClung mes lëvizjeve më të shpejta dhe më të çuditshme në historinë e NBA-së – një tjetër kthesë befasuese në karrierën e tij tashmë jo të zakonshme.
Talent në ajër, pak hapësirë në parket
Edhe pse ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje në NBA, McClung ka fituar tre herë radhazi garën e zhytjeve, duke mahnitur publikun All-Star nën fanellat e Orlando Magic, Philadelphia 76ers, Los Angeles Lakers dhe përkohësisht, Chicago Bulls.
Në G-League, ai ka spikatur me mesatare të lartë – rreth 25 pikë për ndeshje – çka për shumë adhurues të basketbollit është një dëshmi se meriton më shumë hapësirë në NBA.
Por, për arsyet që nuk janë bërë publike, eksperimenti me Bulls përfundoi sa nisi. Tashmë, McClung është sërish lojtar i lirë, ndërsa sytë janë drejtuar nga muaji shkurt, kur ai pritet të rikthehet në skenën e preferuar – garën e ngulitjeve në fundjavën All-Star.