
Dinamo City ka njoftuar largimin e mesfushorit Baton Zabërgja, i cili do të vazhdojë karrierën në Ukrainë te skuadra Metalist 1925.
Në komunikatën zyrtare, klubi blu dhe presidenti Adrian Bardhi shprehën mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të “Zabit”, i cili u shqua për përkushtimin profesional dhe sakrificën për fanellën e Dinamos dhe shokët e ekipit.
“Ndeshja kundër Hajdukut në ‘Air Albania’ ishte e fundit për Baton Zabërgjën me fanellën e Dinamo City. Ai dha shumë për Dinamon dhe mori po aq shumë prej saj. Shembulli më i mirë i futbollistit që sakrifikon gjithçka për klubin”.
“Suksese me skuadrën e re në Ukrainë! Do të mbetesh gjithmonë një dinamovit, dera për ty do të jetë gjithmonë e hapur”, thuhet në komunikatë.
Zabërgja në Superligën e Kosovës kishte bërë karrierë te Vushtrria, Drenica dhe Gjilani.