
Një natë e madhe evropiane për Dinamon e Zagrebit, e cila triumfoi 1:3 kundër Maccabit të Tel Avivit në Baçka Topola (Vojvodinë), duke marrë fitoren e dytë radhazi në Europa League dhe duke u ngjitur në krye të grupit. Ndërkohë, Crvena Zvezda nuk ia doli në Portugali – Porto e mundi 2:1 me gol në minutën e 89-të, duke ia zgjatur serbëve krizën në garat e UEFA-s.
Dinamo shkëlqen në Serbi
Ndeshja e zhvilluar në teritoer neutral, me izraelitët të suspenduar në territorin e tyre dhe pa praninë e shikuesve kroat.
Dinamo e Zagrebit e nisi ndeshjen jo mirë, pasi në minutën e 14-të u ndëshkua nga Saied Abu Farchi, i cili shfrytëzoi një hapësirë të mbrojtjes dhe kaloi Maccabin në epërsi. Por reagimi i kroatëve ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, pas një presioni të lartë në mesfushë, Mateo Lisica u gjend në pozitë ideale dhe shënoi një gol të bukur me goditje të fortë nën traversë, duke barazuar shifrat në 1:1.
Dinamo vazhdoi me lojë agresive dhe në minutën e 19-të arriti përmbysjen. Pas një aksioni të shpejtë nga e djathta, Moris Valinçiç asistoi për Dejan Ljubiçiçin, i cili nga afër nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë për 1:2. Me këtë gol, Dinamo mori kontrollin e plotë të ndeshjes, ndërsa deri në pushim pati edhe një rast tjetër me Arbër Hoxhën, i cili gjuajti pranë shtyllës.
Në pjesën e dytë, Maccabi tentoi të rikthehej, por pa rrezik real. Dinamo priti me qetësi dhe shfrytëzoi hapësirat në kundërsulm. Dion Drena Beljo pati dy tentativa të mira në minutat 65 dhe 66, që ishin paralajmërim për golin e tretë. Në minutën e 72-të, pas një aksioni shembullor të shpejtë, Lisica asistoi për Beljon, i cili ia la topin Ljubiçiçit. Ky i fundit u pozicionua mirë dhe shënoi një tjetër gol të bukur në këndin e largët për 1:3, duke vulosur fitoren e dytë radhazi për Dinamon.
Ky rezultat e ngjit Dinamon në krye të grupit me 6 pikë dhe golaverazh 6:2, duke e bërë skuadrën kroate favorite për kalimin e fazës së grupeve. Në xhiron e tretë, Dinamo do të udhëtojë në Suedi për t’u përballur me Malmon, më 23 tetor, një skuadër që deri tani ka pësuar vetëm humbje dhe mban vendin e fundit në tabelë.
Zvezda humb në minutat e fundit
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Crvena Zvezda pësoi një humbje dramatike në Portugali. Pas golit të hershëm të William Gomes për Porton dhe barazimit të bukur të Vasilije Kostovit, gjithçka dukej e hapur. Por kur dukej se ndeshja do të mbyllej në barazim, në minutën e 89-të Rodrigo Mora shënoi golin vendimtar për vendasit.
Ky ishte dështimi i 13-të në 17 ndeshjet e fundit evropiane për Zvezdën (me vetëm dy fitore në këtë periudhë), duke treguar krizën e vazhdueshme të kampionit serb jashtë kufijve.