
Java e pestë e Abissnet Superiore solli emocione të forta dhe përmbysje surprizuese.
Dinamo i rikthehet fitores me një triumf 2-1 ndaj Tiranës, në një derbi që u vendos nga golat e Gudiabit dhe Vilës, duke nxjerrë “blutë” nga një seri pa pikë dhe rritur moralin në kampionat.
Në sfidën tjetër të ditës, Bylisi i Mirel Josës dhuroi spektakël duke mposhtur bindshëm Partizanin me shifrat 3-1, falë dygolëshit të Malomos dhe finalizimit të Muktarit, pas përmbysjes së rezultatit fillestar. Fitorja e parë për ballshiotët këtë sezon e ngjit skuadrën në mesin e tabelës, ndërsa “demat e kuq” fundosin edhe më tej krizën me një tjetër humbje zhgënjyese.
Mirel Josa: Fitorja ndaj Partizanit ishte e merituar, vetëm goli i tretë erdhi nga gabimi i tyre
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në fitoren 3-1 ndaj Partizanit, të cilën e cilësoi të domosdoshme për moralin dhe ecurinë në kampionat.
“Ishte një ndeshje vendimtare për të dyja skuadrat, pasi të dyja kishin nevojë për tri pikë. Partizani e nisi më mirë, duke marrë kontrollin në disa zona të fushës dhe kaloi në avantazh. Por ne reaguam mirë, morëm kontrollin dhe ruajtëm ekuilibrat, sidomos në mesfushë”, tha Josa.
Ai vlerësoi reagimin e ekipit pas golit të parë, si dhe përmirësimin në pjesën e dytë.
“Në pjesën e parë kishim vështirësi, sidomos me vendosjen e mesfushës, por në të dytën u korrigjuam. Malomo nuk ishte në formë në fillim, por tregoi vlerat e tij në momentet e duhura. Goli i tretë erdhi nga një gabim i kundërshtarit, ndërsa dy të tjerët ishin rezultat i lojës sonë.”
Në fund, Josa apeloi për qetësi dhe përqendrim në vijim të kampionatit:
“Një fitore nuk të ngjit lart nëse nuk e ndjekin të tjerat. Kampionati është i barabartë dhe një javë e keqe të kthen aty ku ishe. Duhet të jemi me këmbë në tokë.”
Tirana 1-2 Dinamo
Patsatsia 57′ (p) – Gudiabi 24′, Vila 53′
Bylis 3-1 Partizani
Isgandarli 19′ (p) – Malomo 42′, 54′, Muktar 72′