Futbollisti i talentuar i FC Prishtina, Dren Zeqiri, po konfirmon gjithnjë e më shumë vlerën e tij, jo vetëm në futbollin vendor, por edhe në arenën ndërkombëtare. Me paraqitjet e fundit në fanellën e Kombëtares U21 të Kosovës, Zeqiri ka dëshmuar se është një element me të ardhme të ndritur në radhët e “Dardanëve”.
I aktivizuar për herë të parë në minutën e 57-të në ndeshjen ndaj Qipros, Dren Zeqiri mori besimin e plotë të përzgjedhësit Afrim Toverlani në sfidën e radhës ndaj Finlandës, ku luajti tërë ndeshjen dhe dha një kontribut të vlefshëm në barazimin e arritur në Turku.
Pikërisht kjo paraqitje e fortë ndaj një kundërshtari të nivelit më të lartë si Finlanda ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj Zeqirit, i cili vjen nga një shkollë serioze futbolli dhe është rritur brenda sistemit të futbollist vendor, klubit që po i beson gjithnjë e më shumë hapësira në ekipin e parë.
Interesimi për Zeqirin nuk ka munguar as nga jashtë. Përzgjedhësi i Shqipërisë U21, Alban Bushi, e kishte në radar dhe e pëlqente lojtarin, por Zeqiri vendosi pa hezitim të përgjigjej pozitivisht ftesës së Kosovës, duke bërë të qartë se dëshiron të ndërtojë të ardhmen e tij me përfaqësuesen dardane.
Me një profil të balancuar mes teknikës, inteligjencës taktike dhe qasjes agresive në fushë, ai është në rrugë të mbarë për t’u bërë një nga figurat kryesore të brezit të ri të Kosovës. Aktivizimi i tij i hershëm në ndeshje ndërkombëtare vetëm sa e thekson besimin që stafi teknik ka tek ai.
Në një kohë kur përfaqësuesja U21 është në një cikël të qëndrueshëm dhe me synime për rezultate të mëdha në kualifikimet për EURO 2027, emra si Zeqiri janë pjesë e gurëve themeltarë që po ndërtojnë një skuadër konkurruese dhe premtuese për të ardhmen.
Për FC Prishtinën, Zeqiri është një aset me potencial të madh. Me vazhdimësi dhe përkrahje të duhur, ai mund të shndërrohet jo vetëm në lider të skuadrës në Superligën e Kosovës, por edhe në një emër të rëndësishëm për ekipin kombëtar në të ardhmen e afërt.
