
Arsim dhe Erdoan Vitaku, gjyqtarë të licencuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës, kanë qenë në qendër të vëmendjes të martën, duke drejtuar një ndeshje të rëndësishme në fazën grupore të Ligës së Evropës për meshkuj.
Të deleguar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF), dyshja Vitaku gjykoi sfidën e xhiros së dytë ndërmjet Recken-TSV Hannover-Burgdorf dhe Tatran Preshov, e cila u zhvillua në qytetin e Hanoverit, Gjermani. Ndeshja përfundoi me fitoren bindëse të skuadrës gjermane, 40:28 ndaj ekipit sllovak.
Kjo nuk është hera e parë që gjyqtarët kosovarë gjykojnë në arenën ndërkombëtare. Ata janë të rregullt në listat e delegimeve të EHF-së, duke përfaqësuar me dinjitet hendbollin e Kosovës në skenën evropiane.
Liga e Evropës është gara e dytë më e rëndësishme për klubet në kontinent, pas Ligës së Kampionëve.