Futbolli shpesh sjell histori të pabesueshme, por rrallë ndodh që tifozë të një kombësie tjetër të ndjekin dhe përkrahin me pasion një kombëtare që nuk është e tyre. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një udhëtim prej mbi 1.500 kilometrash, vetëm për të parë dhe përkrahur një ekip përfaqësues që nuk përfaqëson vendin e tyre.
Katër tifozë të klubit holandez FC Groningen – Gert, Mart, Jonathan dhe Milo – kanë mbërritur këtë pasdite në Prishtinë. Ata janë vendosur në një lokal të njohur për tifozët ndërkombëtarë, Atele, një pikëtakim tashmë i njohur për të huajt që vizitojnë kryeqytetin për ndeshjet e Kombëtares.
Katërshja holandeze ka udhëtuar më parë në rajonin e Ballkanit. Vitin e kaluar pushuan në Shqipëri, ndërsa përgjatë viteve të fundit kanë vizituar disa vende të tjera të rajonit.
Por si ndodhi që u bënë tifozë të Kosovës?
“Një mik imi nga Kosova, Andi nga Gjakova, më ndihmoi të njihja më mirë këtë vend,” tregon Mart. Ai shton se ishte pikërisht shoqëria me Andin ajo që e afroi me futbollin e Kosovës”, tha për Kërlaçkin.
Kjo është hera e parë që ata vizitojnë Prishtinën dhe ndjekin nga afër një ndeshje të Kombëtares. Pjesëtarë të tifogrupit “Dardanët” u janë gjendur në ndihmë dhe u kanë siguruar bileta për tribunën veriore të stadiumit “Fadil Vokrri”.
Tifozët holandezë thonë se njohin disa nga emrat kryesorë të ekipit si Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani. Ata janë optimistë për ndeshjen dhe parashikojnë një fitore 2-1 për Kosovën.
Urojmë t’u realizohet parashikimi.