Edon Maxhuni, basketbollisti i parë shqiptar që fluturon kaq lart!

Edon Maxhuni
Edon Maxhuni

Edon Maxhuni është pjesëtar i familjes së njohur sportive nga Mitrovica dhe Prishtina, Maxhuni. Babai Besimi dhe axha i tij Bekimi, basketbollist të njohur, ndërsa gjyshi, ish-futbollist i Trepçës dhe trajner i njohur i KF Prishtinës.

Ylli i Finlandës rrëfen rrugëtimin në EuroBasket, për Telegrafin, përcjellë Kërlaçki. Maxhuni, është i vetmi basketbollist shqiptar që ka arritur kaq lart në ndonjë kompeticion ndërkombëtar.

Edon Maxhuni: “Fitorja ndaj Serbisë ishte pak më e ëmbël si shqiptar”

EuroBasket 2025 ka sjellë surpriza të shumta, dhe një prej tyre është padyshim kombëtarja e Finlandës, me Edon Maxhunin në rol kryesor. Basketbollisti me prejardhje shqiptare është shndërruar në një nga liderët e skuadrës nordike që po shkëlqen në parket, duke bërë histori me kualifikimin në gjysmëfinale.

Në një intervistë për Telegrafin, përcjellë Kërlaçki, Maxhuni rrëfen emocionet që po përjeton me përfaqësuesen finlandeze, përfshirë edhe një fitore të veçantë ndaj Serbisë që, siç thotë vetë, kishte një shije më të ëmbël për të si shqiptar.

“Synojmë medalje, jemi të gatshëm për titullin”

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për basketbollin finlandez. Kemi bërë histori me kualifikimin në gjysmëfinale, por nuk ndalemi këtu. Synimi është medalja dhe besoj se kemi potencial për të fituar edhe titullin”, u shpreh Maxhuni.

Në rrugëtimin drejt kësaj arritjeje, Finlanda eliminoi Serbinë – një fitore që për Maxhunin kishte rëndësi të dyfishtë.

“Fitorja ndaj Serbisë, ndjenjë e veçantë si shqiptar”

“Askush nuk e priste që Finlanda do të shkonte kaq larg, e aq më pak që do të eliminonim Serbinë. Ishte një ndjenjë fantastike. Për mua, si shqiptar, kjo fitore ishte pak më e ëmbël sesa për të tjerët”, theksoi ai.

Statistikat mbresëlënëse dhe forma e lartë

Me një mesatare prej 15 pikësh për ndeshje, Maxhuni ka qenë një nga shtyllat kryesore të ekipit në këtë turne. Ai shprehet i kënaqur me paraqitjet individuale, por mbetet i përqendruar në objektivin madhor.

“Jam i kënaqur me formën time, por synoj që në ndeshjet e mbetura – gjysmëfinalen dhe, shpresoj, finalen – ta rris edhe më tej nivelin për të ndihmuar ekipin drejt titullit të parë.”

Karriera në Francë dhe sytë nga Kosova

27-vjeçari këtë sezon do të jetë pjesë e klubit francez Gravelines-Dunkerque, ku synon të ketë një tjetër sezon të suksesshëm.

“Objektivi me Gravelines është të kualifikohemi në play-off dhe të shkojmë sa më larg. Kam besim se do të kem paraqitje të mira dhe do ta ndihmoj skuadrën në përmbushjen e synimeve.”

Maxhuni ndjek me vëmendje edhe zhvillimet në basketbollin kosovar dhe shpreh dëshirën për të luajtur një ditë në vendlindje.

“E ndjek Superligën e Kosovës. Niveli ende nuk është ku duhet, por ka përparim dhe besoj që brenda pak vitesh do të bëhet një ligë konkurruese. Kam marrë oferta nga klube kosovare dhe një nga synimet e mia është të fitoj një titull kampion atje”, përfundon Maxhuni.