
Basketbollisti me prejardhje shqiptare, Edon Maxhuni, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke firmosur me klubin e njohur francez Gravelines Dunkerque, pjesë e elitës së basketbollit francez, përcjellë Kërlaçki.
Nipi i trajnerit të madh kosovar në futboll, Hysni Maxhuni dhe të birit të tij, basketbollistit të njohur, Besim Maxhuni, Edoni po vazhdon me hapa të sigurt në basketbollin evropian.

Ky transferim i Edonit shënon një rikthim në Francë për 27-vjeçarin, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Strasbourgit, ndërsa gjatë po atij sezoni pati një aventurë të shkurtër edhe në kampionatin italian me Scafati Basket. Më pas u transferua për disa ndeshje te Karşıyaka në Turqi, deri në fund të sezonit 2024–25.
Përpara sezonit në Francë, Maxhuni u shqua me Le Portel, ku nënshkroi fillimisht si zëvendësues për shkak të lëndimit, por ndihmoi në ngërçin e ekipit duke rikthyer formën dhe e thelloi kontratën, në fund, ata u kualifikuan për playoff-et për herë të parë që nga viti 2017. Në këtë periudhë ai shënoi mesatarisht 10,9 pikë dhe 3,7 asistime për ndeshje.
Karriera ndërkombëtare e Maxhunit është gjithashtu impresionuese, ai ka luajtur më parë për Gran Canaria B (Spanjë), me një mesatare prej 13,3 pikësh për ndeshje, ka qenë pjesë e ekipit të Estonisë Parnu Sadam, ku u shpall në formacionin ideal të ligës si dhe Heroes Den Bosch, ku fitoi titullin kampion në Holandë në 2022 dhe dalloi si top-sulmues i ekipit. Pas kësaj ndoqi aventurë te Crailsheim Merlins në Bundesligën gjermane, ku shënoi mesatarisht 11,8 pikë dhe 3,9 asistime për ndeshje.
Në aspektin kombëtar, Maxhuni ka një histori të fortë si reprezentues i Finlandës — megjithëse prindërit nga Kosova por kishte zgjedhur të luajë për Finlandën. Ai ka qenë pjesë e kombëtares së madhe që nga viti 2020 dhe ka marrë pjesë në evente të rëndësishme si EuroBasket 2022 (8,9 pikë për mesatare), Kampionati Botëror 2023 (7,2 pikë dhe 3,8 asistime për mesatare) dhe turneu paralele për Lojërat Olimpike 2024, ku shënoi 12,7 pikë dhe 4,7 asistime mesatarisht.
Aktualisht, Maxhuni ndodhet në grumbullim me kombëtaren finlandeze për pjesëmarrje në EuroBasket 2025, një edicion evropian që do të mbahet edhe në Finlandë – një sfidë ku ai mund të luajë një rol kyç. Në Kampionatin Evropian po ashtu do të marrin pjesë edhe dy figura qendrore të kampionatit të Kosovës, trajneri i Trepçës si seleksionues i Bosnjë dhe Hercegovinës, Adis Beçiragiç dhe përforcimi i ri i “xehtarëve”, Mustapha Azil, po me Finlandën sikurse Maxhuni.
Transferimi te Gravelines Dunkerque shihet si një mundësi e re strategjike për Maxhunin. Me përvojën e tij dhe aftësitë në pozicionin e organizatorit të lojës, ai pritet të ndihmojë klubin të rikthehet në majat e basketbollit francez.