
Te FC Prishtina, ndryshimet në pankinë duket se nuk kanë të ndalur. Pas eliminimit zhgënjyes nga garat evropiane, klubi kryeqytetas ka ndarë rrugët me trajnerin Arsim Thaçi, vetëm katër muaj pas emërimit të tij.
Thaçi e mori drejtimin në një periudhë delikate për klubin, duke zëvendësuar francezin Jean-Michel Cavalli, dhe arriti ta fitojë Kupën e Kosovës – trofe që i siguroi Prishtinës pjesëmarrjen në Europë. Por paraqitjet në arenën ndërkombëtare nuk e përmbushën pritshmërinë.
Eliminimi fillimisht nga Sheriff Tiraspol në Europa League, e më pas nga Larne pas penalltive në Conference League, shtynë klubin drejt një tjetër ndryshimi në bankinë.

Sipas burimeve të afërta me klubin, Blerim Bunjaku, që ishte asistent i Thaçit gjatë kësaj periudhe, është emëruar si trajner i përkohshëm. Ky është rasti i parë që ai merr drejtimin e një skuadre të Superligës – dhe pikërisht të klubit më të madh në vend.
Një vendim që konfirmon edhe një herë kursin eksperimental që FC Prishtina ka ndjekur në vitet e fundit, me emërime të pazakonta dhe ndryshime të shpeshta në stol.
Bunjaku i njeh mirë lojtarët dhe ambientin, por mungesa e përvojës si trajner i parë mbetet një pikëpyetje në një moment ku klubi kërkon stabilitet dhe kthim te sukseset.

Prishtina pritet të fillojë edicionin e ri të Superligës me një drejtim të përkohshëm, ndërsa mbetet të shihet nëse Bunjaku do t’i bindë drejtuesit për t’u bërë zgjidhje afatgjatë, apo nëse klubi do të sjellë një emër të ri për timonin e skuadrës.