Ferizaj konfirmon largimin e Arsim Abazit: Kush do të jetë trajneri i ri?

arsim abazi
Arsim Abazi

Pas ndeshjes së zhvilluar sot ndaj FC Prishtina, FC Ferizaj ka konfirmuar largimin e trajnerit Arsim Abazi dhe stafit të tij teknik. Dorëheqja e tyre është ofruar menjëherë pas përfundimit të takimit, ndërsa drejtuesit e klubit kanë vendosur ta pranojnë vendimin, pavarësisht mbështetjes së vazhdueshme që kishin ndaj ekipit teknik.

Në një takim të mbajtur pas ndeshjes, presidenti i klubit, Lulzim Abazi, dhe drejtori sportiv, Genc Hyseni, kanë shprehur respekt dhe falënderim për punën dhe kontributin e trajnerit Abazi, duke e vlerësuar lart periudhën e tij në krye të skuadrës.

Gjatë kohës së tij, Arsim Abazi udhëhoqi FC Ferizajn drejt rikthimit në Superligë dhe ndihmoi ekipin të bëhej pretendent serioz për një vend në garat evropiane – një arritje që mbetet ndër momentet më të rëndësishme në historinë e klubit.

Klubi ka falënderuar publikisht trajnerin Abazi dhe stafin e tij për punën profesionale dhe përkushtimin maksimal, duke theksuar se emri i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e respektuar e historisë së FC Ferizaj.

Në ditët në vijim pritet që klubi të njoftojë për hapat e ardhshëm dhe emrat që do të udhëheqin ekipin në vazhdim të sezonit.