
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar si vendimtare ndeshjet e ardhshme ndaj Sllovenisë dhe kundërshtarit tjetër në grup, duke theksuar se pas fitores kundër Suedisë, atmosfera në skuadër është përmirësuar ndjeshëm.
“Janë dy ndeshje shumë të vështira, jo të lehta. Por pas fitores ndaj Suedisë, ekipi ka fituar vetëbesim dhe ka treguar pasion e vendosmëri. Kemi parë se jemi në gjendje të fitojmë edhe kundër kundërshtarëve të fortë”, deklaroi Foda.
Ai e cilësoi Slloveninë si një kundërshtar të fuqishëm dhe të organizuar në të gjitha repartet, por shprehu optimizëm për një rezultat pozitiv.
“Sllovenia është rival shumë i fuqishëm, me mbrojtje dhe sulm të mirëorganizuar. Por, në seancat stërvitore që kemi para vetes do të përgatitemi maksimalisht. Për më tepër, kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë, dhe me ndihmën e tyre shpresoj që të jemi të gatshëm të triumfojmë.”
Foda u ndal edhe te rëndësia e fitores ndaj Suedisë, duke e cilësuar atë si një pikë kthese për ekipin.
“Fitorja ndaj Suedisë na ka dhënë shumë vetëbesim dhe ka ndryshuar atmosferën në ekip. Tani të gjithë besojmë se mund të luftojmë së paku për vendin e dytë në grup.”
Sipas tij, suksesi i radhës kërkon përkushtim të njëjtë dhe shpirt ekipor.
“Për ta arritur këtë, duhet të luajmë si kundër Suedisë – me përkushtim maksimal. Jam i bindur se jemi në gjendje të arrijmë një rezultat pozitiv ndaj Sllovenisë. Kemi katër seanca stërvitore dhe gjatë tyre do të vlerësoj kush është në formën më të mirë për të nisur nga minuta e parë.”
Foda foli edhe për sfidën me Zvicrën, e cila sipas tij nuk shkoi siç ishte planifikuar, veçanërisht në mbrojtje, por theksoi se ekipi ka mësuar nga gabimet.
“Loja kundër Zvicrës nuk shkoi siç dëshiruam, sidomos në fazën mbrojtëse. E analizuam me kujdes dhe bëmë ndryshimet e duhura për Suedinë, përfshirë edhe mungesën e Amir Rrahmanit, që e kompensuam me tre mbrojtës. Ndryshimet dhanë efekt.”
Trajneri gjerman shprehu bindjen se Kosova është në rrugën e duhur, dhe theksoi rëndësinë e fokusit maksimal ndaj Sllovenisë.
“Luajtëm si ekip dhe treguam se mund të jemi rivalë të denjë edhe ndaj skuadrave me emër. Por futbolli nuk luhet në të kaluarën – ajo fitore tashmë i takon historisë. Tani fokusi ynë është te Sllovenia. Kemi krijuar një energji të mirë dhe pres nga lojtarët që të japin maksimumin në këtë përballje.”
Ndeshja me Slloveninë zhvillohet të premtën më 10 tetor në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, ndërsa tre ditë më vonë më 13 tetor në Goteborg, Suedi – Kosovë.