Formacioni i mundshëm i Prishtinës ndaj Sheriffit – debutime të reja, skema mbetet e njëjtë

#image_title

FC Prishtina do të zbresë në fushën e “Sheriff Arena” sonte për përballjen e parë të raundit kualifikues në Ligën e Evropës ndaj Sheriff Tiraspolit.

Trajneri Arsim Thaçi pritet të mos ndryshojë shumë nga skemat e zakonshme taktike, duke zgjedhur formacionin 3-4-3, me mundësi të kalimit në 3-4-2-1 gjatë lojës.

Fituesi i Kupës së Kosovës, do të kërkojë të marr rezultat pozitiv, me një mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta.

fc prishtina

Në portë pritet të startojë Agron Kolaj, që do të jetë një prej emrave debutues në Evropë. Vijën e fundit të mbrojtjes do ta përbëjnë Leonat Vitija, Philippe Boueye dhe Rron Raçi – një treshe që kërkon balancë mes agresivitetit dhe stabilitetit.

Në krahun e djathtë do të vendoset Ramiz Bytyqi, tashmë një emër i konsoliduar në këtë pozicion, ndërsa në qendër të mesfushës do të luajnë Ardian Limani dhe Hamdi Namani. Djordje Saletic do të mbulojë krahun e majtë, duke e zëvendësuar Diol Gallapenin.

Treshja e sulmit do të përbëhet nga Leotrim Kryeziu, Ardian Muja dhe Valmir Veliu – të cilët do të kërkojnë të shfrytëzojnë çdo hapësirë për të befasuar mbrojtjen moldave.

formacioni i mundshëm i prishtinës ndaj sheriffit

Prishtina kërkon një paraqitje dinjitoze në këtë sfidë të parë evropiane të sezonit, duke synuar një rezultat që e mban në garë para takimit të kthimit në “Fadil Vokrri”.